Hygeia

Si ndodh që një sëmundje inflamatore të shkaktojë lodhje

Si ndodh që një sëmundje inflamatore të shkaktojë lodhje

Një studim i realizuar te kafshët ofron njohuri për mënyrën se si sëmundjet e ndryshme shkaktojnë ndjenjën e lodhjes te njerëzit. Zbulimet e reja konfirmojnë se qelizat imune mund të depërtojnë në qelizat trunore duke krijuar një rrugë të re të komunikimit ndërmjet organeve të sëmura dhe sistemit nervor.

Megjithëse, zakonisht truri është i izoluar nga sistemi imun, ky studim sugjeron se ndryshimet e caktuara të sjelljes të cilat ndodhin te personat me sëmundje kronike inflamatore, shkaktohen nga infiltrimi i qelizave imune në tru. Ky zbulim, po ashtu, sugjeron krijimin e metodave të reja terapeutike për të përmirësuar kualitetin jetësor të pacientëve.

Sëmundjet kronike inflamatore, siç është artriti reumatoid, sëmundja inflamatore e zorrëve, psoriaza dhe sëmundjet e mëlçisë, shkaktojnë “sjellje të sëmurë”, ku përfshihen lodhja, plogështia dhe humbja e interesit social. Deri më tani nuk ka qenë e qartë se si inflamacioni ekzistues në organet tjera të trupit mund të ndikojë në përfshirjen e trurit dhe shfaqjen e këtyre “sjelljeve”.

Shkencëtarët kanë zbuluar se te minjtë me mëlçi të inflamuar, qelizat e bardha të gjakut- monocitet, infiltroheshin në tru. Ky zbulim mbështet hulumtimet e mëparshme të cilat tregonin praninë e qelizave imune në tru si pasojë e inflamacionit të organeve. Në këtë mënyrë sfidohet teoria e deritanishme se “barriera hematoencefalike (që ndan gjakun nga lëngu trunor) pengon kalimin e qelizave imune në tru”.

MEDIKOS