Hygeia

A është gati fëmija juaj të heqë pelenat?

A është gati fëmija juaj të heqë pelenat?

Sjelljet mbrojtëse, kufizuese, ndërhyrëse të prindërve dëmtojnë kënaqësinë që ndjen fëmija në zbulimin e botës përreth

 Mosha 2-3 vjeç është më e përshtatshmja për të mësuar dhe zbuluar botën përreth, një moshë ku fëmija kupton vetveten dhe gjërat që e rrethojnë. Nëse prindërit janë shumë kufizues ose frenues gjatë kësaj moshe, atëherë ndikojnë negativisht tek kënaqësia e ndjerë nga fëmija në zbulimin e botës. Prindërit duhet të marrin masat e nevojshme, t’i japin mundësinë fëmijës të realizojë vetveten dhe t’i servirin një fushë zbulimi.

Gjatë zhvillimit të fëmijës ekzistojnë periudha kritike dhe mosha 2-3 vjeç është njëra prej tyre. Marrëdhënia e sigurisë e vendosur mes fëmijës dhe prindit apo personit që përkujdeset për të (dados) përfaqëson të gjitha llojet e marrëdhënieve të krijuara gjatë jetës me njerëzit e tjerë. Parë nga ky aspekt, tre vitet e para të jetës janë shumë të rëndësishme në zhvillim.

Fëmija që pret nga nëna plotësimin e nevojave të tij kërkon të ushqehet kur e merr uria, të ndërrohet kur bën pis pelenat,ndjen nevojën e kontaktit fizik, prekjeve, përkëdheljeve,shikimeve të mbushura me dashuri. Nëse këto nevoja plotësohen në kohën e duhur dhe pa u vonuar, rritet besimi që ndjen fëmija tek nëna apo dadoja. Në këtë mënyrë fëmija ka më shumë besim te vetja.

Nuk duhet harruar se kjo është një periudhë kritike sa i përket shoqërimit dhe individualizimit të fëmijës. Krahas kësaj është dhe periudha kur fëmija heq pelenat dhe mëson të shkojë në banjë vetë. Psikologët na këshillojnë të jemi të durueshëm, të ndjeshëm për të pritur momentin e duhur në fillimin e kësaj periudhe mësimi. Duhen ndjekur mirë sinjalet e dërguara nga fëmija.

Fëmija dërgon sinjale kur është gati të heqë pelenat

“Nëse fëmija është i gatshëm të tregojë nevojat personale, atëherë dërgon sinjale. Ai fillon të fshihet kur i vjen të shkojë në banjë, më pas fillon të tregojë kur i vjen nevoja. Nëse fëmija ndihet i gatshëm për të shkuar vetë në banjë, atëherë duhet të tregohemi shumë pozitivë dhe ta motivojmë atë për veprimin. Motivimi është shumë i rëndësishëm për këtë proces, prindërit nuk duhet të ushtrojnë presion.

 

Presioni i ushtruar ndaj fëmijës ndikon në shfaqjen e depresionit tek ai

Nëse procesin e mësimit të fëmijës me shkuarjen e rregullt në banjë e filloni më herët, nëse prindërit nxitojnë dhe ushtrojnë presion tek fëmija atëherë ai përjeton shumë probleme më pas. Periudha e pritjes është 3 vjet, pra ndonjëherë mund t’ju duhet të prisni deri në 3 vjet. Dënimi i fëmijës,përdorimi i dhunës, shantazhimi, frikësimi i tij thjesht për lagien e dyshekut apo ndotjen e shtëpisë e trondit më shumë fëmijën. Këto veprime të gabuara e bëjnë fëmijën të turpshëm, pa iniciativë dhe heqin besim që ka te vetja. Fëmija i koncepton këto dënime si dënime të të gjithë trupit, nuk i beson njerëzve dhe ndihet vazhdimisht i frikësuar. Në këtë mënyrë bëhet plot ankth dhe frikë. Krahas kësaj mund të shfaqen edhe probleme të tjera të sjelljes. Lagia natën apo bërja e nevojës së madhe mund të kthehen në veprime të qëndrueshme. Belbëzimi, agresiviteti, fobia sociale e të tjera mund të shoqërojnë tablonë e mësipërme dhe kështu fëmija bie në depresion. Nëse fëmija nuk paraqet një nivel të kënaqshëm zhvillimi, ky proces mund të fillojë më vonë dhe të zgjasë edhe më shumë. Prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të informuar gjatë kësaj periudhe.

Sjellja mbrojtëse ndaj fëmijës që jep sinjalin pengon zhvillimin emocional
Kjo ndodh në rastet kur fëmija jep sinjalet e para, por nëna për shkak të kushteve klimaterike, p.sh.
kur është dimër, e shtyn këtë proces për në verë. Kjo sjellje mbrojtëse e prindit ndikon negativisht në zhvillimin emocional të fëmijës. Çdo fëmijë i ballafaquar me një sjellje të tillë përjeton të njëjtën situatë. Nëse fëmijës nuk i jepet përgjegjësi, mbrohet vazhdimisht dhe nuk mbështetet për sinjalet e dhëna, atëherë ai nuk rritet, mbetet gjithnjë i vogël./GazetaStart/.

 

MEDIKOS