Hygeia

Muaji i gjashtë

Muaji i gjashtë

Ulur dhe energjik – kjo është tema e muajit. Foshnja juaj do të mësojë të qëndrojë ulur në mënyrë të pavarur, të shtyjë dhe të rrotullohet, së paku në vend nëse jo përpara ose prapa.

Në anën tjetër, foshnja mëson se gjërat kanë emra dhe i njeh dhe shpesh i preferon familjarët në botën e saj. Ju do të jeni të befasuar për të mirë se sa i/e pavarur do të bëhet ai/ajo.

Zhvillimi social/emocional

Foshnja juaj i njeh njerëzit dhe gjërat rreth tij/saj, ndjehet komfort me familjarët – nënën, babanë, gjyshin e gjyshen, si edhe me disa prej lodrave të tij/saj favorite. Ai/ajo mund të jetë i/e shqetësuar rreth njerëzve të huaj, ose në ndonjë situatë të re.

Është shumë kënaqësi të kalosh kohën me një gjashtëmuajsh. Foshnja në këtë moshë mund të imitojë veprimet, emocionet dhe zërat; buzëqeshë, të qeshë me zë dhe të lëshojë klithma. Lojërat favorite janë të tilla si “uuu, sa i madh” (duke ngritur foshnjën lart), “kuku, da” (duke mbyllur dhe hapur sytë tuaj me duar), dhe lojëra të tjera me duar.

Foshnja tash është e vetëdijshme për qëllimin tuaj – kur ju e ngacmoni ose kur ju nuk mund t’i ndihmoni. Nëse ju ja ofroni një lodër dhe pastaj ia largoni këtë lodër, foshnja do të mënjanojë shikimin dhe do të rrudhë vetullat në shenjë pakënaqësie. Nëse aksidentalisht ju e lëshoni poshtë lodrën, ai/ajo do ta kapë dhe do të përpiqet t’ua japë.

Zhvillimi gjuhësor

Mërmëritjet e tij/saj duken gjithnjë e më shumë si e folur, së bashku me intonacionin dhe vëllimin e zërit. Në të vërtetë, nëse ju nuk e dëgjoni shumë afër, duket sikur ai/flet. Foshnja juaj përdor bashkëtingëllore si “da-da”, por ende nuk arrin ta lidhë tingullin me personin ose objektin ende. E keni vërejtur se si e shfrytëzon të gjithë trupin për të kërkuar gjëra si “merrmë” ose “e dua atë”.

Tash është koha e mirë për t’ia mësuar gjuhën e shenjave, nëse deri tash nuk keni filluar. Edhe pse nuk do të jetë në gjendje t’ju sinjalizojë gjëra edhe për disa muaj, ai/ajo mund të fillojë t’i etiketojë veprimet dhe gjësendet me një shenjë. Më vonë, bebja do të jetë në gjendje t’ju tregojë se dëshiron të pijë, nuk dëshiron të hajë, ose se dëshiron më shumë... Ju do të keni një fëmijë gjithnjë e më pak të frustruar.

Zhvillimi konjitiv/njohës

Foshnja juaj tashmë e dallon emrin e vet dhe disa fjalë të tjera. E keni mësuar të thotë “hi” dhe të bëjë “pa-pa” me duar.

Derisa familjarët kryejnë me nxitim angazhimet ditore, foshnja tashmë e di çfarë vjen në radhë. Nëse ju e pastroni çdo ditë në mbrëmje, ai e di se gjithmonë para gjumit do të zhytet në vaskë. Në varësi të personalitetit, ai/ajo mund t’ju tregojë juve (duke qarë, buzëqeshur, duke u ankuar ose ngazëllyer) se çfarë mendon derisa ju përgatiteni për rutinën e tij (ndërrimin e pelenave, larjen në vaskë, lëkundjen në krahë ose këndimin e ninullave).

Ai/ajo tashmë e di se meshkujt dhe femrat tingëllojnë ndryshe. Foshnja është shumë e befasuar kur dëgjon ndonjë zë femre që del nga trupi i një mashkulli.

Aftësitë e mëdha motorike

Sipas gjasave foshnja juaj tashmë është në gjendje të lëvizë, në këtë kohë (rrotullohet, kthehet nga njëra anë në tjetrën). Disa madje mund ta ngrenë barkun nga dyshemeja dhe disi të zvarritet. Shumica ende janë diku në mes. Ai/ajo mund të mbështetet në duar dhe gjunjë ose dhe mbase të bëjë lëvizje duke u rrotulluar, duke u zvarritur me krahë, duke lëvizur përpara ose për prapa në distanca të vogla, ose duke u kthyer në pozitë të ulur.

Bebja tashmë qëndron ulur në mënyrë të pavarur dhe pa ndonjë problem – duke u mbështetur përpara në duar ose edhe duke qëndruar vertikal dhe duke përdorur duart për të eksploruar lodrat. Ekuilibri është ca i pasigurt dhe ai/ajo mund të ketë nevojë t’i vendosni ose dy jastëkë prapa, për çfarëdo rasti.

Këmbët e tij/saj janë mjaft të fuqishme për të mbajtur peshën një minutë ose dy, duke ju ndihmuar juve ta ekuilibroni, dhe disa foshnja që tash kanë prirje vetë të rehatohet në një pozitë të qëndrueshme.

Aftësitë e vogla motorike

Ai/ajo e tërheq një objekt kah vetja dhe përpiqet ta kapë atë duke përdorur gishtin e madh dhe gishtat tjerë, edhe pse ende nuk është i/e suksesshme. Gishti i madh zakonisht vetëm ndihmon ta shtypë lodrën që kap në shuplakën e tij.

Aftësi të reja këtë muaj – foshnja mund të ketë kuptuar një mënyrë të zhurmshme për t’i eksploruar lodrat – duke i goditur ato rrotull. Çfarë vringëllime të kënaqshme (për veshët e bebes) mund të bëjë një lugë që goditet në tavolinë ose në karrige. Foshnja tash e di se çfarë do të ndodhë dhe madje mund “të mblidhet” (të bëj grimasa sikur mbrohet), derisa e godet lodrën e tij.

Përfundim

Ndjenja e sigurisë dhe shfaqja e dashurisë i ndihmon foshnjës tuaj të mësojë. Çfarë tjetër ka nevojë? Lodra! Ato nuk ka nevojë të jenë të shtrenjta. Gjërat e thjeshta si enët e kuzhinës (ose enë lodra) mund të jenë po ashtu argëtuese (dhe të mjaftueshme për të stimuluar zhvillimin).

 

Caffetin

Regjistrohu
për buletin