Hygeia

Muaji i shtatë

Muaji i shtatë

Bebja tashmë është një eksplorues i madh. Ai/ajo tashmë përballet me botën me plot entuziazëm. Qëndrimi ulur pa u ndihmuar e ka hapur një botë të re dhe një perspektivë krejtësisht të re për të.

Meqë duart e tij/saj nuk i shërbejnë më për ‘tu mbajtur, ai/ajo mund t’i përdorë ata për t’u socializuar dhe për të luajtur. Foshnja e shpreh ngazëllimin e vet me një buzëqeshje të madhe dhe ndonjëherë duke hapur gojën dhe duke treguar dhëmbët. Mos u befasoni nëse foshnja juaj fillon edhe t’i rrudhë hundët ndaj disa gjërave.

Zhvillimi social/emocional

Atij/asaj i pëlqejnë lojërat sociale si duke mbyllur sytë tuaj dhe duke i zbuluar ato me fjalët “kuku-da”, ose lojëra të tjera duar, si duke plasur duart dhe duke kënduar “tap-shin”. Tash është koha e lojërave bashkëpunuese, ndërvepruese. Shumë afër në listë është edhe leximi i librave.

Nëse ju dhe vogëlushi/shja juaj tashmë nuk e keni zbuluar, filloni të luani lojërat “Ju ndërtoni, foshnja rrëzon” me tre ose katër kube (blloqe). Vendosini blloqet njëri mbi tjetrin dhe pyeteni vogëlushin/shen tuaj, “A mund ta rrëzosh”? Nëse ai/ajo nuk di ta bëjë, merreni dorën e tij/saj dhe tregoni si ta rrëzojë “ndërtesën”. Nuk do të ketë nevojë për shumë përsëritje para se foshnja të krijojë idenë dhe të kërkojë të luajë përsëri.

Zhvillimi gjuhësor

Nëse mendon se ju nuk i kushtoni vëmendje, bebja mund të përpiqet të bëjë kollitje ose gërhitje mashtruese për t’ju bërë juve të ktheheni te detyra më e rëndësishme që keni – të luani me të. Kombinimi i zërave dhe gjuhës trupore për të arritur qëllimet e tij/saj, është çelësi për më pak qarje dhe më shumë komunikim.

Ju ia keni përsëritur zërat që ai/ajo ka nxjerrë, por këtë muaj përpiquni t’i zgjeroni ato. Nëse foshnja thotë “ma” ju përgjigjuni me “ma-ma”. Së shpejti foshnja do të fillojë të përsërisë rrokje të gjata dhe të rënda që përmbajnë bashkëtingëllore dhe zanore. A duket fjalët e saj ca më ndryshe? Ndoshta sepse ato i rrëshqasin bebes për shkak të pështymës së tepërt në gojë që tajohet për shkak të daljes së dhëmbëve.

Nëse tashmë nuk e ka bërë, bebja së shpejti do t’i kuptojë dhe do t’i ndjekë urdhrat e thjeshta si të shikojë lodrën ose t’ia bëjë me dorë dikujt.

Zhvillimi konjitiv

Me kujtesën tashmë të zhvilluar, foshnja po mëson vazhdimësinë. Fshiheni një lodër nën duar me beben që ju shikon juve. Lodra është larguar nga shikimi i saj, por jo edhe nga mendja. Ai/ajo do ta hapë dorën tuaj për ta marrë lodrën. Vetëm disa muaj më parë kjo lodër më nuk do të ekzistonte, sapo ajo të zhduket nga shikimi i bebes një herë.

Ai/ajo e di se çfarë ndodh kur e hedh një lodër poshtë nga vendi ku qëndron. Bebja do të lakohet për ta parë atë duke rënë dhe do të parashikojë zhurmën që i jep kënaqësi. Gjasat janë që ai/ajo t’ju kërkojë juve t’ia jepni që ai/ajo sërish ta hedhë poshtë.

Lajmi i mirë për familjarët që ju vizitojnë së paku një herë në javë. Foshnja tashmë mban mend fytyrën e dikujt për së paku kaq kohë, andaj gjyshërit dhe të tjerët do të bëjnë pjesë në grupin e miqve të njohur të tij/saj.

Aftësitë e mëdha motorike

Bebja mund të qëndrojë ulët pa u mbajtur edhe pse ende mund të mbështetet përpara në duar kohë pas kohe. Po ashtu mund të jetë në gjendje të ngrihet në pozitë të ulur vetëm. Hapi tjetër? Ai/ajo tash mund edhe të shtrihet nga pozita e të qenit ulur. Derisa hidhet kah lodra e tij/saj e preferuar, mund të bjerë në hundë. Por kjo nuk është për t’u shqetësuar shumë, pasi është hapi i parë drejt zvarritjes.

Kur është shtrirë, foshnja juaj tash edhe mund të zvarritet. Nëse jo, nuk ka nevojë për t’u shqetësuar; ai/ajo së shpejti do të zvarritet ose mund edhe të mos zvarritet aspak, por të përdorë teknikat e veta për të lëvizur. Disa foshnja nuk zvarriten fare, por kalojnë drejt në çapitje (ecje fëmijërore).

Këmbët e bebes tuaj tash janë të forta dhe atij/asaj i pëlqen të shkelmojë, edhe kur është në krahët tuaja. Është një stërvitje e dyfishtë, për të dy ju!

Aftësitë e vogla motorike

Ky është muaji i kapjes së gjërave me vetëm një dorë. Caku i tij/saj tash arrihet me saktësi. Vetëm përpiquni të vendosni një lodër të preferuar në tavolinën para tij/saj! Një gjë tjetër në të cilën bebja juaj tash po aftësohet më shumë është transferimi i gjësendeve nga njëra dorë në tjetrën. Bebja ende praktikon me vështirë kapjen e gjërave pa përdorur të gjithë shuplakën (t’i kapë vetëm me gishta), por po bëhet gjithnjë e më mirë edhe në koordinimin mes gishtit të madh dhe gishtave tjerë të dorës.

Nëse tashmë po han ushqime të ngurta, ofroni ushqime të gishtave që zbuten në gojë, si keksë të veçantë për bebe, bukë të bërë me miell të zi, pasta të gatuara, copëza djathi të madhësisë së fasuleve, dhe copëza të vogla të frutave të pjekura ose perimeve të avulluara. Duke e kontrolluar se çfarë fut në gojë, ju inkurajoni një qasje të shëndetshme të të ushqyerit për më vonë gjatë jetës së tij/saj dhe zhvillim më të mirë të kapjes me gishta në këtë moshë.

Një lojë tjetër argëtuese për t’i zhvilluar këto aftësi të vogla motorike është “vjedhja nga xhepi”. Vendosni gjësende të sigurta të bebes në xhepin e këmishës tuaj dhe lejoni t’i kapë dhe nxjerrë jashtë.

Përfundim

Kurioziteti i kombinuar me një lëvizshmëri të shtuar, do të thotë se është koha të bëni shtëpinë tuaj të sigurt për beben dhe t’i siguroni përreth një botë të sigurt për të eksploruar. Ofroni shumë dashuri dhe inkurajim. Kjo pavarësi e fituar këtë muaj mund të jetë pak e frikshme!

 

Caffetin

Këshilla për bebe

Caffetin

Regjistrohu
për buletin